Mjekimi i sëmundjes periodontale
Nëse jeni diagnostifikuar me sëmundje periodontale, ekziston një lajm i mirë se ajo shpesh mund të mjekohet në mënyrë të suksesshme.

Hapi i parë jo kirurgjik zakonisht përfshin pastrimin special, për të larguar shtresimet e pllakut dhe gurit nga sipërfaqet e dhëmbit dhe rrënjës. Kjo procedurë ndihmon shërimin e gingivës dhe ngushtimin e xhepave periodontal. Kjo ndonjëherë njihet edhe si “pastrimi periodontal” ose “pastrimi i thellë”.

Dentisti juaj gjithashtu mund të ju përshkruaj barna për kontroll të infeksionit dhe dhimbjes, ose barna për shërim të plagës. Këto medikamente mund të jenë në formë të tabletës, shpërlarësit ose substanca që dentisti i vendos direkt në xhepat periodontal pas pastrimit dhe largimit të gurëve.

Në vizitën e ardhshme, dentisti kontrollon thellësinë e xhepit për përcaktim të efektit të pastrimit. Në këtë fazë, shumica e pacientëve nuk kanë nevojë për trajtim aktiv të mëtejshëm, por vetëm kujdes preventiv. Nëse xhepat periodontal janë të thellë dhe kocka është e tretur, do të jetë e nevojshme trajtim kirurgjik për parandalim të humbjes së dhëmbit. Mund të udhëzoheni për mjekim te periodontisti, dentisti që është i specializuar në trajtim të sëmundjeve që kapin strukturat mbështetëse të dhëmbit – gingivës dhe indit kockor.

Nëse xhepat periodontal nuk shërohen, gjatë intervenimit kirurgjik largohet indi i inflamuar dhe zvogëlohet dëmtimi i kockës që gjendet rreth dhëmbit. Gjatë kohës kur janë zmadhuar xhepat, është siguruar hapësirë më e madhe për mbijetesë të baktereve dhe sulm ndaj kockës dhe indeve.

Gjatë kirurgjisë mundësohet depërtim i dentistit në hapësirat e vështira për arritje ndër gingivë dhe përgjatë rrënjës ku guri dhe pllaku janë akumuluar. Eliminimi i grumbullit bakterial dhe regjenerimi i kockës dhe indeve ndihmon në zvogëlimin e xhepave dhe riparon dëmtimin e shkaktuar nga sëmundja progresive.

Dentisti mund të ju rekomandojë procedura plotësuese. Intervenimi kirurgjik në kockë, duke përfshirë transplantimin e kockës, shfrytëzohet për rindërtim ose riformësim të kockës të dëmtuar nga sëmundja periodontale. Membranat (filtrat), transplantet kockore apo proteinat stimuluese të indit mund të përdoren për të nxitur aftësinë e organizmit për regjenerim të kockës dhe indit.

Splintet, ritejnerët ose protezat mund të përdoren për stabilizim të dhëmbëve të luhatshëm dhe për të mundësuar regjenerimin e indeve gjatë shërimit. Nëse një masë e madhe e gingivës është humbur, transplanti me ind të butë (grafti gingival) mund të kryhet. Grafti mund të zvogëlojë tërheqjen e gingivës dhe humbjen e kockës.

Graftet me inde të buta mund të përdoren për mbulim të rrënjëve ose për zhvillim të indit gingival gjatë tërheqjes së tepruar të gingivës. Gjatë kësaj procedure, indi gingival merret nga qiellza juaj apo nga një burim tjetër donor për mbulim të rrënjëve të zhveshura. Kjo procedurë mund të bëhet për një apo më shumë dhëmbë për të barazuar gingivën dhe për të zvogëluar ndjeshmërinë.

Pas përfundimit të trajtimit periodontal, dentisti juaj do të kërkojë nga ju vizita në intervale të rregullta. Vizitat tuaja mund të kalohen prej dentistit të përgjithshëm tek periodontisti. Pastrimi i rregullt ndihmon për mbajtje në kontroll të pllakut dhe zvogëlim të formimit të gurit, por nuk mund tërësisht ta parandaloj. Nevojiten kontrollet dhe pastrimet e shpeshta për të mbajtur gingivën të lirë nga sëmundjet.

Nëse tymosni duhan, pyesni dentistin apo mjekun tuaj për informata në lidhje me ndalimin e suksesshëm të shprehisë. Duhani përmban substanca kimike që ngadalësojnë procesin e shërimit.

Nuk duhet ti humbisni dhëmbët për shkak të sëmundjes periodontale. Përdorni brushën, pastroni mes dhëmbëve, përmbajuni dietave balancuese, shmanguni duhanit dhe caktoni vizita të rregullta te dentisti për të pasur buzëqeshje të përjetshme dhe të shëndoshë.